Qëndrimi editorial

NJËQIND VJET VETËVARËSI

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Tirana Art Lab – Qendër për artin bashkëkohor prezanton publikimin “Njëqind vjet vetëvarësi” me reagime te artistëve shqiptarë. Me rastin e këtij evenimenti dëshirojmë të tërheqim vëmendjen për mënyrën e festimit dhe situatën në shoqëri.

Qëndrimi editorial

“Festa duhet te jetë e arsyeshme dhe në proporcion me rastin. Festa është një emocion që shpreh njeriu kur ka lajme pozitive, ka fituar, ka ngadhënjyer, kur ka raste individuale dhe shoqërore, për një rezultat apo punë të arrirë, për një ngjarje a veprim që e bën atë të ndjehet i plotësuar dhe i realizuar. Shqipëria ishte njëra prej vendeve të fundit në Ballkan që shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane. Atëherë kur Perandoria ishte duke u rrënuar. Aktualisht është e fundit në rajon për nga zhvillimi shoqëror dhe ekonomik. 

Njëqind vjet të historisë së shtetit shqiptar kanë kaluar me ndryshime të shpeshta qeverisëse, me situata jo te qëndrueshme dhe më pas me vendosjen e komunizmit, një diktaturë që çrrënjosi dinjitetin e shumë shqiptarëve. Kjo pjesë e historisë nuk shënjohet me asnjë muze, me asnjë ditë të saktë dhe të qartë. Politikat shtetërore të rikujtimit pothuajse nuk ekzistojnë dhe janë mohuese.

Rënia e komunizmit e la Shqipërinë një shtet me një shoqëri që nuk ka kaluar në faza normale zhvillimi. Vitet ’90, nga të cilat priteshin ndryshime rrënjësore, përfunduan gati në një luftë civile, të etur për të shuar nevojat personale të një politike të verbër që nuk pa shkatërrimin e gjithçkaje që na rrethonte. Individi u rrënua sërish. Vitet më pas çuan deri në krijimin e një shteti të varësisë politike dhe partiake, një shteti të ndryshimeve fondamentale sa herë që ndodhin ndryshime politike. Shqipëria është vënë nën lenten e vendeve Perëndimore për shkak të mungesës së demokracisë. 

Është kthyer në një vend ku jeta improvizohet, ndryshimi është vetëm se nuk ka më lista dhe radhë pritjesh për ushqime. I vetmi vend në rajon që në gjithë këto kohë nuk ka pasur luftë me fqinjët, por i vetmi vend, bashkë me Bosnjën e trazuar, që nuk futet në asnjë listë progresi. Është e arsyetueshme ndoshta ngecja për shqiptarët jashtë Shqipërisë që janë zhvilluar në rrethana tjera dhe kanë dalë nga luftërat. Por, për Shqipërinë është e pafalshme të jetë peng i zhvillimeve të brendshme dhe armike e vetvetes.

Shqipërinë nuk e pengon asgjë të ndryshoj. Në këtë 100 vjetor, Shqipëria mbetet prehë e varësisë nga vetëvetja. Shqipëria është e vetëvarur.

Ndërkohë i vetmi gjest artistike tashmë është dyfishimi i statujave dhe përmendoreve dhe euforia tenton ta sjellë në fuqi patriotizmin improvizues që synon sërish ta nxjerr nga portreti shoqërorë individin. Në atdheun tonë individi ende ka frikë. Artistët nuk mund të rrinë të heshtur dhe aq më keq të kontribuojnë artistikisht në kthimin e artit në argëtim për masat në mbështetje të programeve politike. Artisti dhe arti i tij nuk mund te jenë tjetër veçse një kritikë ndaj shoqërisë.“

Kontributet artistike, te përfshira në këtë publikim kanë ardhur si përgjigjje ndaj ftesës që i është bërë këtyre artistëve nga Tirana Art Lab. Përveç artistëve që janë pjesë e projektit, janë ftuar edhe artist të tjerë, të cilët kanë zgjedhur që për arsye personale të mos jenë pjesë e publikimit. 

Publikimin në format PDF mund ta shkarkoni duke klikuar Publikimi Njëqind Vjet Vetëvarësi

Tirana Art Lab – Qendër për Artin Bashkëkohor

Advertisements